Lajme

Aktivitetet artistike të AKKV “ Shota” në vitin - 2015

25/12/2015  

KONCERT - Për nderë të 7 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ansambli “Shota” ka shfaqur koncert në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, më datë: 14.02.2015.

DEFILE - Për nderë të 7 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ansambli “Shota” ka mbajtur, Defileun në shesh, me datë 17 Shkurt nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”.

KONCERT - Me ftesë nga kryetari i komunës së Therandës z. Salih Asllanaj, për nderë të 7 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ansambli “Shota” ka shfaqur koncert në Sallën e Sportit në Therandë, më datë 17.02.2015.

KONCERT - Në kuadër të Agjendës Kulturore “Dardania” dhe për nderë të ditës zyrtare të Komunës së Tetovës, më 03.03.2015 AKKV “Shota” ka shfaqur koncert në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Tetovë.

KONCERT - Më datë 07.03.2015, në ditën e tretë të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, e njohur si “Nata e zjarreve”, Ansambli “Shota” ka marrë pjesë në koncertin tradicional që është organizuar në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

KONCERT - Me datë: 28.04.2015 Ansambli “Shota”, me ftesë të Rotari Klubit të Kosovës, ka shfaqur koncert në Sheshin e Prishtinës, për nder të përvjetorit 101-të, të Rotarit në botë dhe 10 vjetorit të themelimit të Rotarit në Kosovë. Për nder të këtij përvjetori ka qenë i pranishëm edhe njeriu i parë i Rotarit të botës, Kryetari z. Gary Huang.

FESTIVALI I GJIROKASTRËS (jashtë konkurrencës)- Në kuadër të “Kalendarit të Përbashkët Kulturor” me Republikën e Shqipërisë të nënshkruar nga ministrat përkatës, z. Kujtim Shala dhe znj. Mirela Kumbaro-Furgji, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” me datë 12.05.2015 ka marr pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës i cili u mbajt nga data 10- 16 Maj. Ansambli ”Shota”, në festivalin më të madh kombëtar të folklorit ka marrë pjesë si i ftuar special (jashtë konkurrencës), ndërkaq programin e ka shfaqur me datë 13.05.2015. Përformanca artistike e Ansamblit, në Kalanë e Gjirokastrës.

KONCERT - Me ftesë të American Councils for International Education in Southeast Europe –KAEF, Ansambli “Shota” me datë 28.05.2015 në Sheshin 21 është prezantuar me “Vallen Festive”. Kjo mbrëmje, në të cilën ka qenë e pranishme edhe aktorja e njohur shqiptare e Holywood-it, Eliza Dushku, e cila kishte karakter humanitar, ku dhe u mblidhen fonde për studentët shqiptarë që studiojnë në SHBA.

KONCERT - Në bazë të Agjendës së MKRS, me kërkesë të Departamentit të Kulturës, Ansambli “Shota” ka marr pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isë Boletinit, e cila u mbajt me datë 10 Qershor 2015, në Mitrovicë, Ansambli është paraqitur me dy pika artistike.

PREMIERA - Pas përgatitjeve intensive është mbajtur Koncerti Premierë i AKKV “SHOTA” me datë 17.06.2015 në TKK. Duke çmuar punën shtatë vjeçare të koreografit të mirënjohur Fehmi Shaqiri me Ansamblin “Shota”, menaxhmenti i Ansamblit në shenjë nderimi, e ka koncipuar programin si KONCERT RECITAL të tij, ku përveç koreografisë së re, të përgatitur nga ai, me titull “Festa e Bashkimit”, kanë qenë në program edhe dy vallet tjera emblematike që ai ka realizuar me trupën e Ansamblit: “Vallja Festive” dhe “Vallja e Peshkopisë”. I njëjti lajtmotiv kryesisht ka përshkuar edhe pikat tjera artistike të programit, ku përveç trupës rezidente kanë qenë të ftuar edhe artistë mysafirë: Instrumentistë, këngëtarë dhe pjesëtarë të Korit. Koncerti është mirëpritur nga artdashësit ne salle dhe është komentuar pozitivisht.

KONCERT - 18.06.2015 Me ftesë të Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, të Mitrovicës, Ansambli “Shota” ka shfaqur koncert në qytetin e Minatorëve me datë: 18.06.2015. Ky koncert ka qenë repriza e parë e Koncertit Premierë (Recital i Fehmi Shaqirit), të dhënë në sallën e TKK në Prishtinë, me datë 17.06.2015.

KONCERT - Në organizim të Ministrisë së Diasporës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka shfaqur koncert me datë 01.08.2015, në Prekaz. Koncerti ka qenë pjesë e manifestimit “Një lule për Jasharajt”, i cili mbahet në kuadër të Ditëve të Diasporës.

FESTIVALI I STRUGËS - Me datë 10.08.2015 Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka shfaqur koncert në Strugë të Maqedonisë. Koncerti që ishte planifikuar të hap festivalin e folklorit “Këngë Jeho” me datë 6 Gusht, ishte shtyrë si shenjë solidarizimi me ditët e zisë (5 dhe 6 Gusht) , që kishte shpallur Komuna e Tetovës, pas fatkeqësisë natyrore të vërshimeve.

FESTIVALI I PORTUGALISË - Trupa artistike e Ansamblit “Shota”, nga data 31.08.2015-07.09.2015 ka qëndruar në Portugali ku ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit “XIX Festival de Folclore Internacional, Alto-Minho –Portugal”. Trupa Artistike e ansamblit “Shota” ka shfaqur 9 koncerte (4 koncerte Matine- nëpër qendrat sociale për fëmijë dhe pleq) dhe 5 Koncerte në kuadër të programit zyrtar të Festivalit, në mbrëmje, në Teatrin e Qytetit dhe Sheshin kryesor “Praça de Republica” të Viana do Castelos. Përveç kësaj, në ditën e katërt të Festivalit ka marrë pjesë edhe në lojërat popullore të organizuara me të gjithë pjesëmarrësit, ku edhe ka triumfuar në dy gara (nga gjithsej 3 sa ishin) si dhe ka përgatitur një drekë me ushqim tradicional në ditën e fundit të festivalit, për nikoqirin (Grupin e shoqërisë “Sa Paolo” të Barroselas dhe komunitetin). Nga ana tjetër, drejtori i Ansamblit, i shoqëruar me dy qifte të ansamblit dhe me drejtorin artistik të festivalit, z. Alberto Rega, ka realizuar vizitë ceremoniale te kryetari i Komunës se Vianas, z. Jose Maria Costa, ku janë këmbyer edhe dhurata.

KONCERT - Me ftesë të SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës), me datë 05.11.2015, në hotelin “Emerald” në Prishtinë, ansambli “Shota” në bashkëpunim me grupin muzikor “Vox Art”, ka shfaqë një program artistik për pjesëmarrësit e “Konferencës Ballkanike të Ujërave” që u mbajt në Kosovë (4-6.11.2015).

PREMIERA - Pas përgatitjeve intensive fillimisht në realizimin e koreografisë së re “Valle me motive të Podgurit” dhe valleve tjera në autorësi të koreografit Xhemali Berisha si dhe pikave tjera artistike, nën përkujdesjen e udhëheqësit artistik z. Ylber Asllanaj, me datë 13.11.2015 në sallën e TKK-së, Ansambli “Shota” shfaqi Koncertin e dytë premierë për vitin 2015. Sikur edhe koncerti i parë premierë, i shfaqur në muajin Qershor, që i dedikohej koreografit Fehmi Shaqiri, edhe ky koncert ka qenë “Koncert Recital” i koreografit Xhemali Berisha. Në këtë koncert, përveç trupës Artistike të Ansamblit u prezantuan edhe artistë -bashkëpunëtorë, të ftuar: këngëtarë, solistë dhe anëtarë të Korit. Pas përfundimit të koncertit, në Objektin e ansamblit ”Shota” u mbajt një koktej rasti për pjesëmarrësit në program.

KONCERT - Me ftesë të Komunës së Istogut, Ansambli “Shota” me datë 27 Nëntor, ka shfaqur koncert festiv, për nderë të Ditës së Flamurit, në sallën e shtëpisë së Kulturës “Adem Jashari” në Istog. Ansambli “Shota”, ndër të tjera, në këtë koncert ka prezantuar para publikut istogas edhe vallet e reja të realizuara gjatë këtij viti: “Valle me motive nga Podguri”, të realizuar nga koreografi Xhemali Berisha dhe vallen “Festa e Bashkimit” të koreografit Fehmi Shaqiri.

KONCERT - Me ftesë të kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës z. Januz Musliu, Ansambli “Shota” ka marr pjesë në kremtimin e Festës së Flamurit në Bujanoc, me datë 28.11.2015. Koncerti i Ansamblit “Shota” ka qenë program qendror i këtij manifestimi, i cili u mbajt në sallën e qytetit.

Me datë 15.12.2015 Trupa Artistike e Ansamblit “Shota” kanë marrë pjesë në xhirimet e vitit të ri për emisionin “Oksigjen”.

Promovimi i Monografisë - Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, e përmbyll planin artistik për vitin 2015, me promovimin e monografisë së Ansamblit, me titull “Shota, muze në lëvizje” e autorit Agron Gërguri, e cila tanimë është botuar në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Ky aktivitet u mbajt me datë 22.12.2015, në objektin e ansamblit. Gjithashtu ky organizim ishte edhe “Takim i Gjeneratave”, ku kanë marrë pjesë edhe ish-anëtarë të Ansamblit nga e kaluara. Po ashtu, përveç promovimit të monografisë, është shfaqur edhe filmi dokumentar i përgatitur për 50 Vjet me Shotës, “Gjysmë shekulli me Shotën” e autorit Ismet Sijarina. Në fund të këtij programi, është mbajtur një koktej i përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit.

Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014