Lajme

Ansambli "Shota" shfaq Koncert në Krajë

13/12/2016   Me ftesë të drejtorit të SHF "Gj. K. Skënderbeu" në Ostros të Krajës, z. Beqir Berjasheviq, Ansambli "Shota", me datë 09.12.2016 në ora 12:00, ka shfaqur koncert për nxënësit dhe banorët e rrethinës së Krajës, komuna e Tivarit. Koncerti i mbajtur para objektit të shkollës "Gj. K. Skënderbeu", ishte dëshirë e kamotshme e Ansamblit dhe banorëve të rrethinës së Krajës, për të motivuar banorët e paktë të ngelur në këtë zonë, për qëndrim në trojet e veta etnike. Përveç Koncertit, drejtori i Ansamblit, z. Shefqet GJOCAJ vizitoi edhe ambientet e Shkollës dhe u bind për punën e palodhshme pedagogjike si dhe pajisjen e shkëlqyeshme të kësaj shkolle (me dic me tepër se 100 nxënës) me mjete didaktike dhe materiale bashkëkohore të punës dhe mësimit. Gjithashtu z. Gjocaj i dhuroi drejtorit të shkollës Monografinë dhe Flamurin e Ansamblit "Shota", ndërkaq për bibliotekën e Shkollës dhuroi katër (4) Monografi të Ansamblit. Gjatë takimit me drejtorin e shkollës dhe me zyrtarë tjerë të Krajës dhe Komunës së Tivarit, drejtori Gjocaj u zotua se Ansambli “Shota” edhe në të ardhmen do të jetë me kënaqësi mysafir në Krajë, në ndonjërin nga aktivitetet e ardhshme kulturore, që do të organizohen këtu. Përveç banorëve të Krajës, në koncert u panë edhe shumë qytetarë nga Ana e Malit dhe Tuzi.


Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014