Lajme

"Shota" kremton 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, me Krijimtarinë e Fahri Beqirit

13/12/2016   Ansambli "Shota" me datë 28.11.2016 në ora 20:00, ka shfaqur Koncertin Festiv kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Program i përgatitur nën drejtimin artistik të prof. z. Fahri Beqirit, ishte njëherazi edhe retrospektivë e punës së tij për afro pesë dekada, me Ansamblin. E ftuar speciale për këtë natë ishte primadona e muzikës sonë znj. Nexhmije Pagarusha, e cila këndoi drejtpërdrejt disa vargje të këngës "Sonte ngushëllim te ti kërkova", të cilën para shumë viteve e kishte kompozuar për të profesor Beqirit. Gjithashtu koncerti ka përmbajtur edhe pika tjera të zgjedhura muzikore të punuara nga prof. Beqiri dhe të cilat u interpretuan nga Kori dhe solistët vokal të Ansamblit nën dirigjimin e prof. Beqirit. Valltarët ekzekutuan "Vallen e Drenicës" dhe "Vallen e Dibrës", teksa fundi u shoqërua me një performancë me tre aktorë, të cilët improvizuan një bisedë në mes Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit. Drejtori i Ansamblit, duke i dhuruar simbolikisht një tufë lule, e falënderoi profesor Beqirin për punën e frytshme në fushën e muzikës, e në veçanti për punën me Ansamblin "Shota". Pas përfundimit të koncertit, në Objektin e ansamblit "Shota" u mbajt një koktej rasti për pjesëmarrësit në program.









Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014