Lajme

Ansambli “Shota” përkujton koreografin e ndjerë Sylejman Shala, me KONCERT RECITAL

28/09/2016   Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "Shota" me datë 20.09.2016 duke filluar nga ora 20:00 në TKK, ka shfaqur koncertin e dytë premierë për këtë vit. Ky ishte koncert recital me krijimtarinë e koreografit të Ansamblit, Sylejman Shala, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2013.
Në sallën e stërmbushur me dashamirë të Folklorit, me familjarë dhe miq të koreografit të ndjerë, ku u shpalos një retrospektivë e koreografive të Sylës, shoqëruar me pika tjera muzikore, të interpretuara nga Kori dhe Solistët e Ansamblit, programi u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku i pranishëm.

Programin e hapi drejtori i Ansamblit, z. Shefqet GJOCAJ, i cili i dhuroi një buqetë lule, vajzës së koreografit të ndjerë dhe njëherazi valltare e Ansamblit “Shota”, Artiola Shala. Në hapje të programit, në shenjë nderimi për koreografin Shala, u thirr një minutë duartrokitje.
Programi përmbante katër koreografitë, më përfaqësuese të koreografit Shala, të punuara me TA të Ansamblit “Shota”: “Baresha”, “Besa- Besë”, “Kaçakët e Jugut” dhe “Vallja e Malësisë së Madhe”. Ndërkaq solistët e Ansamblit Mirvete Bajrami- Haziri, Liridon Sadriu, Violetë Kukaj- Retkoceri, Riza Bytyci, Saranda Alija dhe Ismet Bogujevci, interpretuan, respektivisht, këngët: “Për ty vuaj”, “300 mijë vjet me plis të bardhë”, ” Vetëm për dashuri” “Po t’ baj be pashë sytë e mi”, “Ishe vogëloshe” dhe “Taksirati që m’ka zanë”. Ndërkaq Kori i burrave interpretoi këngën “Kreshtat e Kosovës”.



Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014