Lajme

“Shota” le përshtypje të jashtëzakonshme në Festivalin e Burgasit!

30/08/2016  
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” me datë 27.08.2016 është kthyer nga Bullgaria, ku kanë marrë pjesë në edicionin e 44-të të: International Folklore Festival-Burgas-Bullgaria. Festivali është mbajtur nga data 22-26 Gusht në qytetin e Burgasit. Në këtë festival prestigjioz, përveç “Shotës” kanë marrë pjesë edhe Ansamble nga Bullgaria, Spanja, Hungaria, Sudani, Nigeria, Palestina, Bosnja e Hercegovina dhe dy ansamble nga Polonia. Ansambli “Shota”, gjatë qëndrimit në Burgas ka realizuar 8 programe të ndryshme, zyrtare: Defile, koncerte të plota dhe dy koncerte të përbashkëta, të realizuara në teatrin Veror të Burgasit, në breg të Detit të Zi. Edhe pse festivali nuk ishte garues, paraqitjet e “Shotës” janë pritur në mënyrë të ngrohtë nga publiku i pranishëm, të cilët ishin në numër të shumtë në këtë festival. Përveç shfaqjeve, në program zyrtar të festivalit ishte edhe vizita në Komunën e Burgasit, e cila ishte donator kryesor i Festivalit. Drejtori i Ansamblit, Shefqet Gjocaj, i shoqëruar nga qifti i valltarëve Valentina Haziri- Besnik Grajçevci, u pritën nga nënkryetareje e komunës dhe njëherazi drejtoreshë e Arsimit dhe Kulturës, znj. Yordanka Benova- Ananieva, ku u bë edhe këmbimi i dhuratave simbolike dhe ku znj. Benova- Ananieva u shpreh e lumtur për praninë e Ansamblit “Shota” në festivalin e Burgasit. Po ashtu gjatë qëndrimit në Burgas, trupa e Ansamblit vizitoi Muzeun Arkeologjik të qytetit, Ekspozitën botërore të skulpturave prej rëre, mini- parkun zeologjik me shtazë e shpezë ekzotike dhe Banjën antike të tri nimfave.

Të gjitha këto, krahas pritjes së ngrohtë dhe akomodimit luksoz nga organizatori, bëjnë që Ansambli “Shota” të kthehet me përshtypje të jashtëzakonshme nga ky festival. Njëjtë sikur edhe ka lënë përshtypje të mëdha tek të gjithë pjesëmarrësit dhe publiku shumë i kultivuar bullgar. Gjithashtu, pasi kishin parë koncertin e plotë të “Shotës”, disa organizatorë nga shtete të ndryshme janë interesuar që të bisedojnë për mundësinë e pjesëmarrjes së Ansamblit tonë në festivalet e tyre. Njëra nga ofertat ishte që “Shota” të vazhdonte menjëherë rrugën për Larisa të Greqisë, me të përfunduar festivali i Burgasit, por kjo ishte e parealizueshme për shkak të problemit me viza dhe angazhimeve tjera që ka ansambli në agjendën e Shtatorit.



Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014