Lajme

Pritje madhështore për Ansamblin “Shota” në Gostivar!

25/02/2016  

Ambienti i Qendrës për Kulturë në Gostivar ishte i vogël për të pranuar të gjithë dashamirët e këngës së bukur shqipe që kishin ardhur për të dëgjuar programin artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, te shtunën, me datë 20.02.2016.

Ky aktivitet është organizuar nga komuna e Gostivarit, nën patronatin e kryetarit z. Nevzat Bejta, për nderë të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Këngëtarët, valltarët dhe orkestra e Ansamblit “Shota”, kanë mbajtur të ndezur entuziazmin dhe atmosferën festive për mbi një orë e gjysmë. Dhe ishte publiku i mrekullueshëm i Gostivarit që përcolli me duartrokitje frenetike pothuajse çdo lëvizje apo fjalë, të interpretuar në skenë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Bejta, në mes tjerash theksoi që është kënaqësi e madhe prezenca në qytetin e Gostivarit të Ansamblit Kombëtar “Shota”, nga Republika e Kosovës. “Ishte momenti që së bashku të festojmë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Sot është 20 Shkurt, kurse pavarësia ishte më 17 Shkurt por unë them që muaj shkurt mbetet i tëri muaj i pavarësisë së Kosovës. Merita për pavarësinë e Kosovës kanë gjithë shqiptarët kudo që janë, por merita të veçanta kanë edhe shqiptarët e Gostivarit dhe shqiptarët në përgjithësi në Maqedoni që dhanë kontribut të madh që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe ne sot të festojmë këtë përvjetor së bashku”, tha kryetari Bejta i cili duke folur për Ansamblin “Shota”, tha se ne jemi rritur me “Shotën” dhe se “Shota”, ka qenë shpirti i Kombit Shqiptar që ruajti dhe kultivoi zakonet, doket, këngën burimore, traditën dhe në përgjithësi vlerat shpirtërore dhe kombëtare shqiptare. Më ketë rast, në shenjë respekti dhe kujtimi i ndau drejtorit të Ansamblit, z. Shefqet Gjocaj, simbolin e qytetit të Gostivarit. Ndërsa drejtori Gjocaj kryetarit Bejta i dhuroi monografinë e Ansamblit të përgatitur për 50 vjetorin e themelimit. Njëherazi ai u shpreh i lumtur që ndodhet në qytetin e Gostivarit, ku siç tha ai, mikpritja e përzemërt dhe prania e madhe e publikut në sallë e bëjnë të ndihët vërtetë mirë.

“Është privilegj dhe nder që ndodhemi në mesin tuaj, jemi të lumtur dhe të përmbushur nga shkaku se po shohim sallën përplot me publik. Publiku shqiptar në Maqedoni është i mrekullueshëm dhe gjithandej nga kemi shkuar na kanë mirëpritur shumë mirë”, tha Gjocaj i cili gjithashtu, në emër të popullit të Kosovës, shprehu falënderim publik për shqiptarët e Maqedonisë për mbështetjen e madhe, sidomos gjatë luftës (1998- 1999), ku siç tha ai, “tek ju gjetën derën e hapur- shtëpinë e tyre të dytë”. Duhet përmendur gjithashtu se nikoqir i koncertit festiv ishte Grupi i këngëve qytetare “Besa” nga Gostivari, i cili bëri edhe hapjen e koncertit.

Me prezencën e tyre, Ansamblin “Shota”, e nderuan: ministri i Drejtësisë z. Adnan Jashari, deputetët e zonës Talat Xhaferi, Mirsada Emini - Asani, Jamin Sinani dhe Selvije Saliu, kryetari i Komunws z. Nevzat Bejta dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Fetare Islame të Gostivarit.




Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014