Lajme

“Xherdanit” të Shotës, i shtohet edhe një koreografi e re!

13/11/2015  
Pas fazës së parë të realizuar në terren, dhe punës së lodhshme me TA të Ansamblit për afër dy muaj, koreografi Xhemali Berisha ka përgatitur koreografinë e re “Valle me motive të Podgurit”, e cila vije nga një rajon koreologjik i pa hulumtuar më parë. Me datë 09 Nëntor 2015 në ora 12:00 është bërë tregimi i valles, në prani të Këshillit Artistik, anëtarëve të Këshillit Drejtues të ansamblit ”Shota” dhe të ftuarve të tjerë. Tregimi është bërë në një formë pak më ndryshe se herëve tjera, e që shënon një praktikë të re në Ansamblin “Shota”, ku fillimisht është bërë një prezantim i rajonit prej nga janë marrë motivet (Podguri), nga drejtori i Ansamblit, pastaj është bërë një prezantim i detajuar i motiveve etnografike, në fushën e kostumeve, i bërë nga kostumografja Luljeta Shala- Lushtaku, prezantimi i motiveve muzikore dhe i procesit të punës në realizimin e muzikës, i bërë nga udhëheqësi artistik i Ansamblit (njëherazi edhe autor i Muzikës), z. Ylber Asllanaj dhe në fund prezantimi i procesit të punës në ndërtimin e koreografisë, me të gjitha fazat e punës (në terren dhe në Ansambël) nga koreografi Xhemali Berisha. Koreografia e re, është vlerësuar me notën më të lartë, nga Këshilli Artistik i Ansamblit, duke u vlerësuar si një “xhevahir” shtesë në “Xherdanin artistik” të Ansamblit “Shota”.

Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014