Lajme

Prezantim dinjitoz i Ansamblit “Shota” në Strugë

14/08/2015  

“Shota” obligohet që çdo vit të prezantohet para publikut Struganë!

Pas koncertit të suksesshëm, që u dha para publikut të Strugës, me datë 10 Gusht, kryetari i komunës së Strugës Dr. Ziadin Sela dhe drejtori i Ansamblit “Shota” z. Shefqet Gjocaj, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, me të cilin parashihet që Struga të jetë nikoqir i Ansamblit, të paktën, një herë në vit.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka shfaqur koncert në Strugë të Maqedonisë, me datë 10 Gusht. Koncerti që ishte planifikuar të hap festivalin e folklorit “Këngë Jeho”, me datë 6 Gusht, ishte shtyrë si shenjë solidarizimi me ditët e zisë (5 dhe 6 Gusht) , që kishte shpallur Komuna e Tetovës, pas fatkeqësisë natyrore të vërshimeve, që kishte marrë edhe 5 jetë njerëzish. Prezantimi i Ansamblit, para publiku Struganë u mirëprit dhe u vlerësua lart nga organizatori dhe publiku i pranishëm. Përveç kryetarit të komunës Dr. Ziadin Sela, të pranishëm në këtë koncert ishin edhe këshilltarët e ministrit të MKRS, z. Kujtim Shala, z. R. Canolli dhe z. N. Krasniqi. Shih për këtë kryetari Sela shprehu interesimin që Ansambli “Shota” të jetë mysafir i përhershëm i Verës Strugane, që njëkohësisht nënkupton edhe sezonin turistik në këtë komunë. Me pajtimin e dyanshëm, kryetari Sela dhe drejtori i Ansamblit Gjocaj u pajtuan që të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi, i cili u nënshkrua me datë 11 Gusht në zyrën e kryetarit të Komunës. Ky memorandum nënkupton obligimin e dyanshëm që Ansambli “Shota” të përformojë në Strugë, të paktën n jë herë në vit dhe kjo të futet në kalendarin e të dy institucioneve. “Shota” do të jetë, cdo vit, në Strugë, në pjesën e dytë të Korrikut (orientimisht është përcaktuar e shtuna e parafundit apo e fundit e këtij muaji), ndërkaq akomodimi dhe kushtet teknike do të organizohen nga organizatori. Gjithashtu në këtë takim u përmendën edhe mundësi tjera bashkëpunimi në mes Komunës së Strugës dhe Ansamblit, për të pasuruar veprimtaritë kulturore në këtë qendër të rëndësishme të gjeografisë shqiptare, të cilat do të mund të specifikohen në marrëveshje tjera dypalëshe.

Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014