Lajme

Ansambli “Shota”, ndezi mbrëmë Teatrin Kombëtar të Kosovës

19/06/2015  

Jo rastësisht në këtë koncert nga fjalimi i vetë drejtorit Gjocaj u paralajmërua edhe koncerti i radhës në vjeshtë të këtij viti, që po ashtu i kushtohet koreografit të mirënjohur shqiptar, Xhemajli Berisha.

Sarandë Selimi

Koregrafi Fehmi Shaqiri mbrëmë pati momentin e tij. Koreografitë e tij erdhën nën trupat e vallëtarëve të Ansamblit “Shota”, në një koncert premierë i cili erdhi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Koncerti i parë recital për këtë vit i Ansamblit vjen pas bashkëpunimit me Shaqirin, për shtatë vite të frytshme.
Nën duartrokitjet e publikut të cilët ishin të pranishëm pa dallim moshe, që nga fëmijët e deri tek moshat e vjetra, Ansambli “Shota”, hapi këtë program artistik me vallen të cilën koreografi Shaqiri e kishte përgatitur për nderë të Pavarësisë së Kosovës, “Festa e lirisë”.

Pas kësaj valleje në skenë doli këngëtari Liridon Sadriu i cili interpretoi këngën “3000 vjet me plis të bardhë”, Violeta Kukaj Retkoceri u prezantua me këngët “Ani mori nuse” dhe “Mora testin”, Ismet Bogujevci me këngët “Sa i bukur muaji i majit” dhe “Të shitoftë zana”, Saranda Alija me këngën “Sytë për ty i kam të njomë”, Riza Bytyqi interpretoi “Jare” dhe “Ku po këndojnë këto dy kumria”, e kështu vazhduan me “Vallen e Peshkopisë”, duke i lënë hapësirë që për herë të parë të prezantohet Orkestra me çiftelia e krejt në fund dhe vallja premierë dhe e fundit nga koreografi Shaqiri, “Festa e bashkimit” e cila e ndezi publikun edhe më shumë.
Pas gjithë këtyre këngëve dhe valleve dhe pas disa minutave duartrokitje të publikut në skenë doli koreografi Shaqiri bashkë më drejtorin e ansambli “Shota” - Shefqet Gjocajn. Ky i fundit pa e zgjatur shumë ndau mirënjohje për kontributin e dhënë për këtë ansambël koreografit, Fehmi Shaqirit.
“Kjo është një festë e dyfishtë, sot “Shota” përveç që ka premierë të programit ka edhe festën apo ta quaj më mirë natën e koreografit Fehmi Shaqiri”, theksoi Gjocaj.

Ndërsa për koreografin 80 vjeçar ndjenja e një koncerti të tillë ishte e papërshkrueshme. “Kam shtatë vite që bashkëpunoj me këtë Ansambël, ky Ansambël deri më tani ka marr katër trofe shumë të vlefshme dhe kjo tregon mjaft mirë se sa seriozë që janë. Shota është ansambli më i mirë i kombit shqiptar dhe është një ansambël patriot”, tha ndër të tjera ai.
E krejt për fund nga shoqëria “Tradita”, e cila vepron në Ulqin, Ansambli “Shota” mori mirënjohje për kontributin dhe ruajtjen e vlerave, kulturës dhe traditës shqiptare në Ulqin. “Ju falënderoj nga zemra, pasi që ju jeni ata të cilët për çdo organizim tonin vini që të na nderoni me këngët dhe vallet tuaja”, tha kështu një përfaqësues i kësaj shoqërie. Jo rastësisht në këtë koncert nga fjalimi i vetë drejtorit Gjocaj u paralajmërua edhe koncerti i radhës në vjeshtë të këtij viti, që po ashtu i kushtohet koreografit të mirënjohur shqiptar, Xhemajli Berisha. / KultPlus.com

Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014