Lajme

“Shota” në “Epopenë e UÇK-së”
Koncert në Skenderaj dhe Homazhe te varri i Komandantit

09/03/2015   Në ditën e tretë të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, e njohur si “Nata e zjarreve”, Ansambli “Shota” ka marrë pjesë në koncertin tradicional që është organizuar në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. Trupa e Ansamblit, më saktësisht grupi i valleve, ka interpretuar dy pika koreografike: “Vallen Festive”, të Fehmi Shaqirit dhe “Vallen e Dibrës” të Zeki Kastratit. Këto pika janë pritur ngrohtësisht nga publiku, i cili ka qëndruar në numër të madh në shesh, edhe përkundër temperaturave të ulëta.


Para koncertit, një delegacion i Ansamblit “Shota”, i kryesuar nga drejtori Shefqet Gjocaj, ka vizituar kompleksin memorial në Prekaz , ku ka bërë homazhe të varrezat e familjes Jashari dhe janë vendosur kurora lulesh te varri i Komandantit.



Pas homazheve delegacioni është pritur në kullë, nga z. Rifat Jashari. Në takimin, në të cilin përveç të zotit të shtëpisë ishin të pranishëm edhe Bekim dhe Lulzim Jashari, drejtori Gjocaj duke folur për rëndësinë e kësaj dite dhe sakrificën sublime të familjes Jashari, e ka njoftuar nikoqirin edhe për aktivitetet dhe planet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Nga ana e tij, z. Rifat Jashari duke falënderuar për këtë vizitë dhe vizitat e të gjithë shqiptarëve anë e kënd botës, ka thënë se ata vërtetë kanë humbur mbi 50 anëtarë të familjes së gjerë, por kanë fituar 8 milion anëtarë të tjerë, duke iu atribuuar të gjithë shqiptarëve të cilët përherë, që nga viti 1998, nuk i kanë lënë vetëm dhe, siç u shpreh ai, nuk u kanë lënë kohë të mërzitën. Gjithashtu baca Rifat ka folur edhe për Ansamblin “Shota”, të cilin e ka cilësuar si “Kurorë Kombëtare”, që nderon jo vetëm Kosovën, por gjithë shqiptarinë.



Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014