Lajme

Pritje madhështore e “Shotës” në Tetovë!

06/03/2015   Në kuadër të Agjendës Kulturore “Dardania” dhe për nderë të ditës zyrtare të Komunës së Tetovës, 3 Marsit, AKKV “Shota” ka shfaqur një koncert në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Tetovë, i cili është mirëpritur, komentuar dhe duartrokitur gjatë nga mese 600 shikues në Sallë.

“Ata janë mysafirë tanë, pothuajse të përhershëm, në çdo festë tonë të rëndësishme. Ansambli Kombëtar “Shota”, ndodhet edhe sonte për të nderuar ditën tonë të Komunës dhe Agjendën Kulturore “Dardania”, e cila ka sjellë para jush grupe, individë të suksesshëm dhe institucione të rëndësishme kulturore, që e kanë begatuar këtë skenë dhe përmes artit të tyre kanë sjellë përjetim të lartë artistik për të gjithë ne”, ishin fjalët e znj. Teuta Arifi, me të cilat iu drejtua publikut në sallë, para fillimit të koncertit të Ansamblit “Shota”, në mbrëmjen e 3 Marsit. Pas saj në skenë është ngjitur edhe drejtori i Ansamblit “Shota”, z. Shefqet Gjocaj, i cili para të pranishmëve ka lexuar një fjalë rasti, të titulluar “Promemorje vetvetes”, përmes së cilës ka shprehur falënderimin për strehimin që qytetarët e Tetovës dhe familjet e qyteteve tjera shqiptare në Maqedoni u kanë ofruar shqiptarëve të Kosovës, gjatë eksodit masiv të vitin 1999. “ Këtu e 16 vite më parë, Dardania ka ardhur te ju e përgjakur, e përlotur, e dëbuar. Ka ardhur me sytë plot trishtim dhe me shpresa të thyera. Këtu e 16 vite më parë, ju, qytetarë të Tetovës, të Shkupit, të Gostivarit, të Dibrës, të Strugës, të Kërçovës, të Manastirit... i keni pritur, vëllazërisht dhe njerëzisht, dhjetëra- mijëra njerëz të dëbuar dhunshëm nga vatrat e tyre, nga një sistem dhe pushtet kriminal. U keni ofruar strehë dhe bukë dhe për më tepër i keni inkurajuar se ato do të mbesin vetëm kujtime të këqija në memoriet e tyre...
Shtëpitë tuaja kanë zëvendësuar shtëpitë e tyre të djegura. Familjarët tuaj kanë zëvendësuar vëllezërit, motrat, bijtë e bijat apo prindërit e tyre të vrarë dhe të zhdukur. Dhe të gjithë e kemi ditur, atëherë dhe tash, se FATUM-i ynë është i përbashkët. Se drama e jonë është e përbashkët dhe se një ngjarje tragjike nuk mund ta prek një anëtarë të familjes dhe të mos e afektojë të gjithë familjen. Dhe ne çdoherë e kemi ditur se e kemi një familje të përbashkët. Fatkeqësisht, jo shumë kohë më vonë, rrëfimi fatkeq i Dardanisë i është përsëritur edhe Iliridës. E ne serish së bashku i kemi qarë hallin njëri tjetrit”, ishin fjalët më të cilat Gjocaj u është drejtuar spektatorëve në sallë, duke vazhduar se: “...Fatbardhësisht tani nuk shihemi këtu për mort dhe dhimbje, por takohemi për festë. Kemi ardhur sonte për të uruar dhe për t’u thënë vëllazërisht: Ju faleminderit! Njëherazi duam tua rikonfirmojmë se këtu nuk ndjehemi mysafirë. Ndjehemi në shtëpinë tonë, andaj të festojmë së bashku”!

Në vazhdim Trupa Artistike e Ansamblit përformoi në nivel të lartë. Programi ishte koncipuar tematikisht: Në pjesën e parë, përveç valles “Suitë Kosovare” të Xhemali Berishës, u paraqitën edhe solistët Ismet Bogujevci, Myrvete Haziri, Riza Bytyci dhe Saranda Alija. Blloku i dytë përmbante koreografinë e Gjergj Prevazit “Valle me motive të Librazhdit” dhe këngë lirike të interpretuara nga Violetë Kukaj, Liridon Sadriu e Riza Bytyçi, ndërkaq blloku i tretë kishte këngë me motive të rajonit të Pollogut, të kënduara nga grupi i vajzave “Vox Art” dhe kulminoi me vallen e Dibrës, të koreografit Zeki Kastrati. Publiku në sallë duartrokiti gjatë, një nga një të gjitha paraqitjet, por vlen të theksohet se ata që ndezën më së tepërmi sallën ishin këngëtarët Riza Bytyçi dhe Saranda Alija si dhe grupi i valleve.

Pas koncertit nuk kanë munguar lëvdatat dhe komplimentet e shumë autoriteteve të pranishme në sallë, ku përveç znj. Arifi ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, z. Behixhudin Shehapi dhe zyrtarë tjerë komunal dhe shtetëror. Një pjesë e madhe e shikuesve i ka përcjellë artistët e Ansamblit me duartrokitke dhe më sy të përlotur: “Jeni më të mirët”, “faleminderit Shotës”, “ju jeni gjigantë të kulturës kombëtare”... e cilësime tjera si këto. Ndërkaq në WEB-Faqen zyrtare të Komunës së Tetovës është shkruar: “Programi kulturor "DARDANIA" organizuar nga komuna e Tetovës, ka sjellë në Tetovë artistë dhe shoqata kulturore eminente nga vendi dhe më gjerë. Këtë mbrëmje në qendrën për kulturë në Tetovë publiku tetovar u mahnit dhe impresionua nga interpretimi i Ansamblit të këngëve dhe valleve "SHOTA" nga Kosova, të cilët gjatë gjithë kohës u duartrokitën me kënaqësi dhe ovacione nga publiku jonë”.



Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014