Koncerte

Aktivitetet artistike të AKKV “ Shota” në vitin - 2016

28/12/2016  

DEFILE - Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” për nder të 8 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës me datë: 17.02.2016, duke filluar nga ora 12:00, ka mbajtur defile në tri sheshet e Prishtinës: “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Ibrahim Rugova”. Gjatë defileut Trupa e Ansamblit ka ekzekutuar pjesë nga repertori i vet.

KONCERT - Me ftesë të kryetares së Komunës së Tetovës znj. Teuta Arifi, Ansambli „Shota“ me datë 19.02.2016, ka shfaqur koncert në Qendrën për kulturë në Tetovë, që është realizuar në kuadër të agjendës kulturore “Dardania”, të cilën komuna e Tetovës e organizon për nderë të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

KONCERT - Me datë 20.02.2016, në kuadër të kremtimeve për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ansambli “Shota” ka shfaqur koncert në edhe në Qendrën e kulturës në Gostivar, i ftuar nga kryetari i komunës së Gostivarit z. Nevzat Bejta.

KONCERT - Trupa Artistike e Ansamblit, me datë 07.03.2016, ka marrë pjesë në programin artistik të organizuar në kuadër të Epopesë së UCK-së, përkatësisht “Natës së Zjarreve”. Ky koncert është mbajtur në sheshin A. Jashari në Skenderaj. Para kësaj, një delegacion, i kryesuar nga drejtori i Ansamblit, z. Shefqet Gjocaj, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh te varrezat e dëshmorëve, në kompleksin memorial në Prekaz dhe pastaj është pritur në Kullë nga kryefamiljari i familjes, z. Rifat Jashari.

PROGRAM ARTISTIK - Me datat 03, 05 Mars 2016, me ftesë të Federatës së Futbollit të Kosovës, grupi i valleve i Ansamblit ka marrë pjesë me nje program të shkurtër artistik, në hapjen e edicionit të 7-të të Turneut Ndërkombëtar “Adem Jashari” 2016 në Futsall, si dhe në ceremoninë përmbyllëse të këtij aktiviteti.

KONCERT - Me ftesë të Komunës së Vitisë, Ansamblin “Shota”, ka marr pjesë me një program artistik (si i ftuar special), në përmbyllje të edicionit të XV-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Ansambleve të Këngëve dhe Valleve dhe Shoqërive Kulturore-Artistike “Flakadani i Karadakut”, që është mbajtur 26 Mars 2016.

KONCERT - Me datë 01.04.2016, është shfaqur koncerti i përbashkët, me këngë, i Ansamblit “Shota” me Ansamblin Popullor të Shqipërisë. Ky koncert, i cili u organizua në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor, është koncipuar si koncert tematik- me këngë për pranverën, lulet dhe dashurinë dhe bashkoi këngëtarët dhe orkestrat e dy ansambleve në sallën e TKK-së. Përveç perlave muzikore te të dy ansambleve veç e veç, në këtë koncert kishte edhe pika të përbashkëta, që u realizuan nën përkujdesjen e drejtuesve artistik z. Ylber Asllanaj dhe z. Gerti Druga.

KONCERT - Trupa artistike e Ansamblit “Shota”, me datë 12.04.2016 ka marrë pjesë në manifestimin e ditës së dëshmorëve të Komunën e Istogut, që u organizua nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe OVL e UÇK-së në bashkëpunim me komunën e Istogut.

PJESËMARRJE - Me datë 22.04.2016 duke filluar nga ora 13:00 në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Tokës” dhe me ftesë të “Let’s do it KOSOVA”, Trupa Artistike e Ansamblit “Shota” ka marr pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, që u mbajt në Prishtinë. Në këtë datë, përveç “Shotës” këtij aksioni i janë bashkëngjitur edhe shumë artistë të tjerë si dhe Shefi i Misionit të BE në Kosovë, z. Samuel Zhbogar.

PJESËMARRJE - Pas pranimit të Kosovës në UEFA, një delegacion i Ansamblit “Shota”, i kryesuar nga drejtori Shefqet GJOCAJ, me datë 04.05.2016, kanë marrë pjesë në pritjen e Delegacionit të FFK-së, të kryesuar nga kryetari Fadil Vokrri dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në Aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Për të pritur delegacionin e FFK-së, në Aeroport kishin dalë edhe shumë sportistë dhe zyrtarë të Futbollit të Kosovës.

DEFILE - Me datë: 09.05.2016, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka marrë pjesë në kremtimin e Ditës së Evropës. Në agjendën e kremtimeve, të përcaktuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, “Shota”, ka mbajtur defile në sheshet kryesore të Prishtinës: “Zahir Pajaziti”, “Nena Terezë” dhe “Ibrahim Rugova”, si dhe ka interpretuar valle të zgjedhura nga repertori i Ansamblit.

PROGRAM ARTISTIK - Një grup prej 18 anëtarëve, student ndërkombëtar, të Kolegjit Mbretëror për studime në fushën e mbrojtjes (The Royal College of Defence Studies), që kanë qëndruar në Kosovë në fund të muajit Maj, si mysafirë të Ambasadës Britanike në Kosovë, me datë 30 Maj kanë vizituar Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Ky delegacion kryesohej nga drejtori i RCDS, z. Steven Abbott dhe nga Atasheu Ushtarak Richard Perry. Me këtë rast TA e Ansamblit ka shfaqur një program artistik për këtë delegacionin, në sallën e Ansamblit “Shota”. Më pastaj drejtori i Ansamblit i ka njoftuar mysafirët me historikun e AKKV “Shota” si dhe u është përgjigjur pyetjeve të mysafirëve lidhur me folklorin që kultivon “Shota”, historikun e koreografive dhe larminë e veshjeve të regjioneve të ndryshme, që “Shota” i prezanton përmes programit të saj.

DEFILE - Për nder të “1 Qershorit”, ditës ndërkombëtare të fëmijëve, Ansambli “Shota” ka marrë pjesë me një program Artistik, në Sheshet e Prishtinës. Bartës i kremtimeve për këtë datë ishte drejtoria për kulturë e Komunës së Prishtinës. Koncertin e Ansamblit e kanë përcjellë një numër i madh i fëmijëve, të shoqëruar me edukatorët dhe prindërit e tyre. Në fund të programit, për kënaqësinë e fëmijëve, anëtarët e Ansamblit kanë përformuar një valle të përbashkët me fëmijë.

PJESËMARRJE - Ansambli “Shota” ka marrë pjesë si mysafir special në edicionin e 25-të të Festivalit “Këngë Jeho” në Strugë të Maqedonisë. Edhe përkundër udhëtimit në Strugë, me datë 07 Gusht, Ansambli nuk ka përformuar fare në Strugë, pasi organizatorët e Festivalit kanë marrë vendim për të suspenduar vazhdimin e tij, për shkak të viktimave të vërshimeve të datës 06 Gusht në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup.

FESTIVAL - Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” me datë 15.07.2016 është kthyer nga Franca, ku kanë marrë pjesë në edicionin e 52- të, të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “International Folklore Festival of Château Gombert”. Festivali është mbajtur nga data 8-14 Korrik në qytetin e Marsejës. Krahas AKKV “Shota”, në këtë festival kanë marrë pjesë edhe pesë Ansamble tjera: Ansambli i këngëve dhe valleve i Universitetit të Jagellonias “SLOVIANKI” nga Krakova- Poloni; “Balet Folk Del Atendo Fuente” nga Meksika; Grupi “Chippenham Morris Man”, nga Bristoli i Anglisë, Grupi Folklorik – Kulturor “Recreativo de Albergaria a Velha” nga Portugalia dhe Ansambli vendës i Provancës.
Festivali “Chateau Gombert”, sipas fjalëve të organizatorit është festivali më i vjetër i Folklorit në Francë, i themeluar qysh në vitin 1927. Edhe pse festivali nuk kishte karakter garues, përformancat e Ansamblit “Shota” janë vlerësuar maksimalisht si nga ana e organizatorit ashtu edhe nga grupet tjera pjesëmarrëse.

FESTIVAL - Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, nga data 22-26 Gusht, ka marrë pjesë në edicionin e 44-të të: International Folklore Festival-Burgas-Bullgaria. Në këtë festival prestigjioz, përveç “Shotës” kanë marrë pjesë edhe Ansamble nga Bullgaria, Spanja, Hungaria, Sudani, Nigeria, Palestina, Bosnja e Hercegovina dhe dy ansamble nga Polonia. Ansambli “Shota”, gjatë qëndrimit në Burgas ka realizuar 8 programe të ndryshme zyrtare: Defile, koncerte të plota dhe dy koncerte të përbashkëta, të realizuara në teatrin Veror të Burgasit, në breg të Detit të Zi.

KONCERT - PREMIERË - Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "Shota" me datë 20.09.2016, në sallën e TKK-së, ka shfaqur koncert recital për Koreografin Sylejman Shala. Ky koncert është organizuar për të përkujtuar valltarin shumëvjeçar dhe Koreografin e ndjerë Sylejman Shala, dhe ishte një retrospektivë e koreografive të tij, të përgatitura me Ansamblin "Shota", ndër vite. Gjithashtu koncerti ka përmbajtur edhe pika tjera të zgjedhura muzikore, të interpretuara nga Kori dhe solistët vokal të Ansamblit.

FESTIVAL – Nga data 30 Shtator deri me 02 Tetor 2016, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka marrë pjesë në edicionin e VII-të, të Festivalit “Fest -Argjiro 2016”. Festivali është mbajtur në qytetin e Gjirokastrës. Kjo ngjarje kulturore- artistike është shoqëruar me një varg mini-aktivitetesh tjera kulturore, si: Ekspozitë etnografike, ekspozitë e fotografive, dita e librit (të tria në shtëpinë muze të Ismail Kadaresë), Panair Libri, Kulinari, Artizanate. Ky festival, është zhvilluar i tëri nën aureolën e “Vitit të Kadaresë”, ku janë organizuar shumë aktivitete për nderë të 80 vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe.

KONCERT - Pas kërkesës së bërë nga drejtoria e Qendrës së Shëndetit Mendor të Prishtinës, më datë 19.10.2016 ka ardhur për një vizitë në institucionin tonë një delegacion i kësaj qendre dhe një numër i klientëve të QSHM. Më ketë rast, Trupa Artistike e Ansamblit, për nderë të mysafirëve të ardhur, ka shfaqur një program artistik , në sallën e Ansamblit. Pas programit, i cili u mirëprit ngrohtësisht nga klientët e QSHM, gjatë koktejit të përbashkët, drejtori i Ansamblit dhuroi për QSHM, një Monografi dhe 20 fanella me logon e Ansamblit.

KONCERT - Ansambli “Shota” me datë 29.10.2016, ka shfaqur program artistik në Konferencën e dytë Ndërkombëtare ”Promovimi dhe Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore” e cila është mbajtur nga data 27- 29 Tetor 2016, në Pejë.

KONCERT - Ansambli “Shota” me datë 05.11.2016 duke filluar nga ora 20:00, ka shfaqur program artistik në ceremoninë festive të KOK-ut, për dy vjetorin e pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë.

XHIRIME DHE FOTOGRAFI: Trupa Artistike e AKKV “Shota”, në datat 17 dhe 18 Nëntor dhe me datë 11 Dhjetor 2016, ka realizuar VIDEO xhirimin e dy koreografive, valleve instrumentale dhe këngëve, të cilat janë realizuar nga Kompania “Thumbs up”. Këto materiale, paraprakisht ishin regjistruar si AUDIO, në Studion “Olti Production” në Gjilan. Gjatë xhirimeve janë bërë edhe fotografi të koreografive (valleve) të cilat janë realizuar nga fotografi Avni Selmani, që nevojiten për krijimin e Foto- Katalogut te Ansamblit. Xhirimet janë bërë në dy lokacione në fshatin Drenoc të Deçanit dhe kompleksin memorial në Prekaz, ndërkaq fotografitë janë Kompletuar në Kalanë e Ulqinit.

KONCERT FESTIV - Ansambli “Shota” me datë 28.11.2016 në ora 20:00, shfaqi Koncert Festiv kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Program i përgatitur nën drejtimin artistik të prof. z. Fahri Beqirit, ishte njëherazi edhe retrospektivë e punës së tij për afro pesë dekada, me Ansamblin. E ftuar special ishte primadona e muzikës sonë znj. Nexhmije Pagarusha, ku këndoi drejtpërdrejt disa vargje të këngës “Sonte ngushëllim te ti kërkova”, të cilën para shumë viteve e kishte kompozuar profesori Beqiri, pikërisht për të. Gjithashtu koncerti ka përmbajtur edhe pika tjera të zgjedhura muzikore të punuara nga prof. Beqiri dhe të cilat u interpretuan nga Kori dhe solistët vokal të Ansamblit nën dirigjimin e prof. Beqirit. Valltarët ekzekutuan “Vallen e Drenicës” dhe “Vallen e Dibrës”, teksa fundi u shoqërua me një performancë me daljen në skenë të tre aktorëve për të improvizuar një bisedë mes Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit.

KONCERT - Me ftesë të drejtorit të SHF “Gj. K. Skënderbeu” në Ostros të Krajës, Ansambli “Shota”, me datë 09.12.2016, ka shfaqur koncert për nxënësit dhe banorët e rrethinës së Krajës, komuna e Tivarit. Koncerti i mbajtur para objektit të shkollës “Gj. K. Skënderbeu”, ishte dëshirë e kamotshme e Ansamblit dhe banorëve të rrethinës së Krajës, për të motivuar banorët e paktë të ngelur në këtë zonë, për qëndrim në trojet e veta etnike. Gjithashtu drejtori i dhuroi drejtorit të shkollës Monografinë dhe Flamurin e Ansamblit “Shota”, ndërkaq për bibliotekën e Shkollës dhuroi katër (4) Monografi të Ansamblit.

Ansambli “Shota” e ka shfrytëzuar qëndrimin në Mal të Zi, për të kompletuar sesionin e fotografive për Katalogun e Ansamblit, në Kalanë e Ulqinit. Seti i fundit i fotografive të koreografive (valleve) të Ansamblit, është realizuar me datë 10.12.2016, nga fotografi i angazhuar, z. Avni Selmani.

PROGRAMI I VITIT TË RI: Më datë 22.12.2016 Trupa Artistike e Ansamblit “Shota”, ka marrë pjesë në xhirimet për vitin e ri 2017, në Radio Televizionin e Kosovës - RTK.

Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014