Lajme

Delegacioni i “Shotës”, ne varrimin e Rexhep Çelikut

15/01/2018  

Një delegacion 15 anëtarësh i Ansamblit “Shota”, ka marrë pjesë në homazhe dhe në ceremoninë e varrimit të “Mjeshtrit të madh” dhe “Nderit të Kombit”, Rexhep Çeliku, me datë 13 Janar në Tiranë. Delegacioni është kryesuar nga drejtori Shefqet Gjocaj dhe Udhëheqësi Artistik Ylber Asllanaj. Pranë arkivolit të këtij gjiganti të valles dhe koreografisë shqiptare, delegacioni ka vendosur kurora lulesh në emër të Ministrit të Kulturës, z. Kujtim Gashi dhe AKKV “Shota”. Solistët e Ansamblit “Shota”: Besnik Grajcevci, Valentina Haziri, Feim Leka dhe Kaltrina Salihu, e kanë bartur mbi supe arkivolin e Çelikut, nga Muzeu Historik Kombëtar, pastaj të Varrezat e qytetit të Tiranës. Të fundit që janë ndarë nga artisti i madh, në përfundim të ceremonisë mortore ishin drejtoresha e TKOB dhe AP znj. Zana Çela dhe drejtori i AKKV “Shota” Shefqet Gjocaj, i cili me këtë rast shprehu ngushëllime në emër të institucioneve dhe te të gjithë artdashësve dhe simpatizantëve të Rexhep Çelikut nga Republika e Kosovës.

“E nderuara familje Çeliku, znj. Loli, znj. Megi..., të nderuar kolegë dhe dashamirës të Rexhep Çelikut, në emër të Ministrit të Kulturës së Republikës së Kosovës z. Kujtim Gashi dhe në emër të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pakompensueshme për artin dhe skenën shqiptare. Edhe sikur të shfletoja të gjithë fjalorët dhe enciklopeditë e botës, jam i bindur se nuk do të gjëja fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen tonë të madhe për shkuarjen e hershme në amshim të “Xhepit” . Por gëzimi dhe krenaria që jetuam “në kohën e tij”, që patëm rastin të ulemi e të bashkëbisedojmë me të, të bashkëpunojmë me këtë gjigant të skenës dhe artit tonë, është më e fuqishme se dhimbja për shkuarjen e tij në amshim. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Rexhep Çelikut”, ishin fjalët e drejtorit Gjocaj.




Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014