Lajme

Delegacioni i “Shotës” në 60 vjetorin e themelimit të APKV të Republikës së Shqipërisë

16/11/2017   Në datat 11 dhe 12 Nëntor 2017, Teatri i Operas, Baletit dhe AP të Republikës së Shqipërisë, ka kremtuar 60 vjetorin e themelimit të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve. Në natën finale, në gala-koncertin “60 vite Histori”, të këtij përvjetori të rëndësishëm të njërin ndër institucionet më përfaqësuese të Shtetit Shqiptar, në fushën e kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore, mori pjesë edhe një delegacion i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, i kryesuar nga drejtori i këtij institucioni z. Shefqet Gjocaj.
Për shkak të rekonstruktimit të objektit të TKOB-it, koncerti u mbajt në sallën e Teatrit Kombëtar, që ishte tepër e vogël për të pranuar vetëm mysafirët e ftuar, e lere më publikun tjetër. Në këtë koncert mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta i shoqëruar nga ministre-ja e kulturës , znj Mirela Kumbaro-Furxhi. Më këtë rast, z. Meta dekoroi, me urdhrin më të lartë “Nder i Kombit” APKV dhe valltarin e koreografin e mirënjohur Besim Zekthi. Pas koncertit që zgjati rreth 3 orë, e që ngjiti në skenë shumë emra të mirënjohur të artit shqiptar si Naile Hoxha, Hysni Zela, Rexhep Çeliku, Agim Krajka, Merita Halili, Irma Libohova, Artiola Toska ..., gjatë koktejit të organizuar, drejtori i Ansamblit takoi drejtoreshën e përgjithshme të TKB dhe AP znj. Zana Qela, dhe biseduan për bashkëpunimet e dy ansambleve në të ardhmen, si dhe shumë figura të njohura të artit shqiptar.





Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014