Lajme

"Shota" në FEST- ARGJIRO 2017

11/10/2017   Nga data 06-08 Tetor 2017, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "Shota" ka marrë pjesë në edicionin e VIII-të, të Festivalit "Fest -Argjiro 2017". Festivali është mbajtur në qytetin e Gjirokastrës, nën patronatin e kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës znj. Zamira Rami. Në edicionin e sivjetmë, që ishte i teti me radhë dhe që përveç folklorit ngërthente edhe ekspozitë artizanale, promovime dhe panair libri dhe kulinari, merrnin pjesë edhe ansambli vendës- Gjirokastra, grupet nga Kroacia (Vela Luka) , Bullgaria ("Entusiazym"), Greqia ("Trikallon Dancing Group"), Grupet Arbëreshe "Shkëndija" nga San Benedeto dhe "Shpirti Arbëresh" nga Cerzeto (Kalabri), SHKA "Zëri i Luginës"- Bujanoc dhe "Lidhja e Prizrenit"- Prizren. Sikur edhe në edicionin e shtatë, edhe këtë vit Ansambli “Shota” mori pjesë me ftesë speciale të kryetares së Bashkisë, znj. Rami.
Përveç në skenën e Odeonit, në Gjirokastër, Ansambli “Shota” ka përformuar (së bashku me "Shpirti Arbëresh") edhe në Tepelenë.

Një delegacion i Ansamblit i shoqëruar nga solisti i njohur i këngëve polifonike Adriatik-Lili Cenko, ka vizituar edhe kantautorin e njohur nga Gjirokastra z. Arjan Shehu, i cili për delegacionin tonë ka shtruar një drekë. Në përmbyllje të festivalit, janë këmbyer dhurata me kryetaren e bashkisë, znj. Zamira Rami, e cila kishte treguar interes të shtuar për trupën e Ansamblit dhe komoditetin e saj.







Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014