Lajme

Ansambli "Shota" merr çmimin "Mjeshtër i Madh", të ndarë nga Presidenti i Republikë së Shqipërisë z. Bujar Nishani

25/08/2017   Dekorata dhe arsyetimi për akordimin e këtij titulli, për AKKV “Shota” i është dorëzuar delegacionit të Ansamblit, me datë 06 Gusht, ne një ceremoni të organizuar në Drelaj të Rugovës.

Pasi në muajin e fundit të mandatit të tij, si President i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani i kishte akorduar ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” titullin “Mjeshtër i Madh”, këshilltari i tij Flamur Gashi, i ka dorëzuar dekoratën dhe arsyetimin e dhënies së këtij titulli, delegacionit të Ansamblit. Pasi drejtori i ansamblit ndodhej me TA në festivalin ndërkombëtar në Pllovdiv të Bullgarisë, delegacioni është kryesuar nga kompozitori Fahri Beqiri, njëherazi nënshkruesi i nominimit për dekorim të Ansamblit. Në delegacion ishin edhe doajeni i Ansamblit Ismet Bogujevci, koreopetitori Nazmi Demaj dhe zyrtari financiar Agim Maxhuni. Në arsyetimin e akordimit të titullit më të lartë që ndahet në fushën e kulturës ne Republikën e Shqipërisë, thuhet:

"Presidenti i Republikë së Shqipërisë z. Bujar Nishani i jep Titullin "Mjeshtër i Madh" Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”: Për afirmimin e vlerave të mirëfillta kulturore kombëtare, origjinalitetin e kostumeve, melodive autentike dhe valleve e veçanta, me të cilat është prezantuar në më se 50 shtete të ndryshme të botës, në të gjitha kontinentet; për ruajtjen dhe zhvillimin e folklorit burimor (këngët dhe vallet popullore), hulumtimin e formave të reja të përpunimit të artit të traditës popullore, si dhe ruajtjen, përpunimin artistik dhe prezantimin e folklorit e vlerave të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit tonë".

Gjithsesi, krahas kupave, medaljeve, mirënjohjeve dhe plaketave të shumta, të fituara në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, kjo dekoratë do të jetë, tani e tutje, në ballë të vitrinës së trofeve të Ansamblit.


Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014