Lajme

"T'i këndojmë Pranverës", koncert për Ismet Bogujevcin

03/04/2017   Me datë 24.03.2017 në ora 19:00 në sallën e TKK-së, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "Shota" dhe Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve i Republikës së Shqipërisë, kanë mbajtur koncertin e përbashkët, tradicional "T'i këndojmë pranverës" që organizohet në kuadër të "kalendarit të përbashkët kulturor" të nënshkruar nga dy ministrat e kulturës të Kosovës dhe Shqipërisë. Programi pati shumë perla të muzikës sonë, të interpretuara nga orkestrat, koret dhe solistët e dy ansambleve që u realizuan nën përkujdesjen e udhëheqësit artistik të AKKV “Shota” Ylber Asllanaj dhe drejtorit artistik të AP nga Shqipëria, Gerti Druga. E veçantë e koncertit të sivjetmë ishte dedikimi për doajenin e Ansamblit “Shota” dhe të këngës shqipe, Ismet Bogujevcin, i cili në këtë vit mbush moshën e pensionit. Përveç dy ansambleve tona kombëtare, në koncert morën pjesë edhe grupi polifonik “Bilbili” i Vlorës i udhëhequr nga z. Sejmen Gjokoli, ndërsa interpretuan këngën të cilën e kishin shkruar posaçërisht për Ismet Bogujevci, dhe i dhuruan një vendim për “Anëtar nderi” të grupit “Bilbili”, në emër të qendrës kulturore “Aulona”. Po ashtu pjesë e këtij koncerti ishte edhe një formacion orkestral i ish- Shoqërisë Akademike “Ramiz Sadiku” të Prishtinës, pjesë e së cilës për një kohë të gjatë ka qenë Ismet Bogujevci. Pas përfundimit të koncertit, u organizua një koktej për mysafirë dhe darkë për pjesëmarrësit në program.



Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve - SHOTA 2014